20 prill, 2025 – Liderja e AlbiMall Superligës së Kosovës në futboll, Drita, ka shënuar edhe një fitore të rëndësishme në rrugëtimin drejt titullit të kampionit. Në kuadër të javës së 30-të, skuadra gjilanase ka triumfuar në udhëtim ndaj Suharekës, me rezultat 2:1. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Suharekë solli një përballje të fortë, ku mysafirët kaluan të parët në epërsi. Rron Broja realizoi për Dritën në minutën e 21-të, duke i dhënë epërsi skuadrës së tij. Megjithatë, vendasit reaguan dhe arritën të barazojnë rezultatin përmes Eneid Kodrës në minutën e 44-t, duke e mbyllur pjesën e parë me shifrat 1:1. Fitorja e Dritës u vulos në pjesën e dytë, kur Denys Kostyshyn shënoi golin e dytë në minutën e 82-të, duke reaguar shpejt pas një penalltie të humbur nga shoku i skuadrës, Besnik Krasniqi. Me këtë fitore, Drita arrin në kuotën e 66 pikëve dhe ruan epërsinë prej 13 pikësh ndaj Ballkanit, që ndodhet në vendin e dytë me një ndeshje më pak të zhvilluar. Suhareka mbetet në pozitën e parafundit me 33 pikë, duke vazhduar luftën për mbijetesë në javët e fundit të kampionatit.
Ndërkohë, në orët e mbrëmjes është zhvilluar ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Ferizajt, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, përballje kjo e cila ka përfunduar pa fitues dhe pa gola (0:0). Prishtina nga minuta e 25-të luajti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Philippe Bouoye me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër. Pas këtij barazimi Prishtina mbetet në pozitën e pestë me 39 pikë, kurse Ferizaj renditet një pozitë më lart me 42 pikë,