Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin e "cookies".
By using our website, you agree to the use of our cookies.

Historiku i FFK-së

Federata e Futbollit e Kosovës u themelua si institucion i pavarur i Republikës së Kosovës, më 20 gusht të vitit 1991, në një periudhë shumë të vështirë, kur vendi ishte okupuar nga regjimi i egër serbo-sllav. Futbolli në Kosovë para kësaj date ishte zhvilluar nën organizimin e Lidhjes së Futbollit të Kosovës, që ishte pjesë e barabartë me Lidhjet e tjera të Futbollit në Federatën e Jugosllavisë dhe që funksiononte që nga viti 1948. Por, periudha e shpërbërjes së Jugosllavisë me nisjen e luftës në fillim vitet e 90-ta dhe instalimi i masave të dhunshme nga Serbia në çdo lëmi të jetës në Kosovë, e goditi edhe futbollin, kur nga stadiumet u dëbuan të gjitha ekipet shqiptare. Të ndodhur në një situatë okupuese e përjashtuese, në gusht të vitit 1991 njerëzit e futbollit në Kosovë vendosën që përkundër rrethanave të vështira ta ndërmarrin hapin e guximshëm – themelimin e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe fillimin e garave në tërë vendin, ndonëse në pa mundësi të shfrytëzimit të stadiumeve të futbollit, në të cilat ishin instaluar klubet serbe. Kuvendi konstituiv i FFK-së, të cilit i paraprinë shumë takime sensibilizuese nëpër qytete të ndryshme, u mbajt në shkollën fillore “Asim Vokshi” në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, derisa drejtimin e këtij institucioni me vota unanime të delegatëve e mori punëtori i dalluar sportiv nga Prizreni, Agim Bytyqi. Ndërkohë, vetëm disa javë më vonë, saktësisht më 13 shtator, filloi edhe kampionati i parë i futbollit të pavarur të Kosovës, me ndeshjen ndërmjet dy rivalëve të kryeqytetit, Flamurtarit dhe Prishtinës.

Liga e parë e Kosovës në kampionatin e parë numëronte 20 skuadra, ndërsa ligat tjera varësisht nga Regjionet, por ndeshjet luheshin në kushte shumë të vështira nëpër fusha të improvizuara, ku shumë familje i kishin dhuruar tokat e tyre për t’i shndërruar në fusha futbolli, vetëm e vetëm që futbolli të luhej dhe të rinjtë ta zhvillonin talentin e tyre. Edhe në këto rrethana futbolli luhej sipas rregullave të UEFA-s dhe FIFA-s, dhe çdo ndryshim i rregullave të tyre menjëherë aplikohej në sistemin e garave tona.

Gjatë kësaj periudhe maltretimet, burgosjet, rrahjet ndaj zyrtarëve, trajnerëve dhe futbollistëve nga pushtuesi serb ishin të pranishme po thuajse çdo javë, por motivi për të vazhduar tutje ishte i madh, ngase të gjithë besonin se herët a vonë kjo sakrificë dhe rezistencë ndaj pushtuesit do të sillte ditë të mira për futbollin në Kosovë. Garat në kushte të tilla vazhduan deri në janar të vitit 1998, kur filloi lufta në Kosovë dhe kur shumë futbollistë u rreshtuan në UÇK në misionin e çlirimit të vendit. Si rrjedhojë u ndal çdo aktivitet deri pas çlirimit të vendit.

Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999, Federata e Futbollit e Kosovës u riorganizua me të gjitha organet e saj, derisa klubet u rikthyen në objektet e stadiumeve, të cilat ishin në gjendje të mjerë për shkak të mos investimeve për thuajse një dekadë nga okupuesit. Futbolli në vitet e para të pasluftës ishte në ekspansion, por më pas pamundësia për t’u anëtarësuar në UEFA e FIFA dhe shpenzimi i madh i donatorëve për t’i mbajtur klubet bëri që futbolli shpeshherë të kalojë në faza të vështira të mbijetesës.

Megjithatë, pas shumë peripecive, sakrificave të shumë gjeneratave, në fund Federata e Futbollit e Kosovës, më 3 maj të vitit 2016 arriti ta finalizojë misionin e nisur më 20 gusht të vitit 1991, duke u  anëtarësuar në UEFA, derisa më pas më 13 maj të njëjtit vit u anëtarësua edhe në FIFA. Kjo periudhë vlerësohet edhe si më e rëndësishmja për FFK-në, pasi nga këtu mori hov zhvillimi i mëtejmë i futbollit të Kosovës në të gjitha aspektet. Kombëtarja e Kosovës u bë pjesë e kualifikimeve për Evropian dhe Botëror, derisa klubet kosovare filluan garimin në kupat evropiane, që ishte ëndrra e të gjithë atyre që ishin pjesë dhe kontribuuan për futbollin e Kosovës.

Kryesia e parë e FFK-së – 20.08.1991
1.Agim Bytyqi, kryetar
2.Hamdi Tovërlani, nënkryetar
3.Gafurr Kabashi, nënkryetar
4.Xhafer Morina, anëtar
5.Jakup Berisha, anëtar
6.Bajra Bardhi, anëtar
7.Bedri Hamza, anëtar
8.Beqir Aliu, anëtar
9.Ferat Qorri, anëtar
10.Enver Nuredini, anëtar
11.Ajet Shosholli, anëtar
12.Shinasi Berisha, anëtar
13.Arbnor Morina, anëtar
14.Shpëtim Kuqi, anëtar
15.Bajram Zeqiri, anëtar
16.Skender Selmani, anëtar
17.Haki Loci, anëtar
18.Sejdi Mërkoja, sekretar

Kuvendi i dytë – Kryesia e FFK-së: 22.08.1994
1.Rexhep Abdullahu, kryetar
2.Arsim Spahiu
3.Luan Prekazi
4.Jashar Peci
5.Faruk Domi
6.Qemajl Nallbani
7.Sami Ahmeti
8.Halil Kika
9.Jakup Berisha
10.Ismet Shurdhani
11.Flamur Vala
12.Ali Shkreli, sekretar

Kryesia e FFK-së – 2000
1.Sabri Hashani, kryetar
2.Adem Çollakaj, nënkryetar
3.Afërditë Fazlija, nënkryetare
4.Haki Demolli
5.Blerim Vula
6.Hamdi Govori
7.Agim Elshani
8.Tasin Pajaziti
9.Skender Ramadani
10.Refik Hydaverdi
11.Naim Besimi
12.Nazmi Kelmendi
13.Ismajl Kosumi
14.Hidajete Beqiri

Kryesia e FFK-së – 2004
1.Sabri Hashani, kryetar
2.Agim Ademi, nënkryetar
3.Haki Demolli, nënkryetar
4. Hidajete Beqiri
5. Naser Rexhepi
6.Luan Prekazi
7. Hysen Gashi
8.Skender Berisha
9.Skender Morina
10. Refik Hydaverdi
11.Maliq Lushaku
12.Nazmi Kelmendi
13.Ismajl Kosumi
14.Isuf Ajeti
15.Isë Govori
16.Blerim Vula, sekretar i përgjithshëm

Kryesia e FFK-së – 2006
1.Sabri Hashani, kryetar
2.Agim Ademi, nënkryetar
3.Haki Demolli nënkryetar
4.Xhelal Broja
5.Agim Maloku
6.Luan Vokshi
7.Shemsedin Muhaxheri
8.Iljaz Mjaku
9.Murat Hoxha
10.Mehmet Shkreli
11.Isa Govori
12.Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së – 2008
1.Fadil Vokrri, kryetar
2.Agim Ademi, nënkryetar
3.Bekim Haxhiu, nënkryetar
4.Predrag Joviq, nënkryetar
5.Agim Maloku
6.Luan Vokshi
7.Vjollcë Krasniqi
8.Xhelal Broja
9.Murat Hoxha
10.Iljaz Mjaku
11.Fisnik Ademi
12.Bakir Burri
13.Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së – 2012
1.Fadil Vokrri, kryetar
2.Agim Ademi, nënkryetar
3.Bekim Haxhiu, nënkryetar
4.Predrag Joviq, nënkryetar
5.Agim Maloku
6.Luan Vokshi
7.Vjollcë Krasniqi
8.Xhelal Broja
9.Murat Hoxha
10.Iljaz Mjaku
11.Bakir Burri
12.Flamur Bunjaku
-Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së – 2016
1.Fadil Vokrri, kryetar
2.Agim Ademi, nënkryetar
3.Predrag Jovic, nënkryetar
4.Vjollca Krasniqi, anëtare
5.Xhelal Broja, anëtar
6.Bakir Burri, anëtar
7.Mirsad Çollaku, anëtar
8.Ilaz Mjaku, anëtar
9.Luan Vokshi, anëtar
10.Flamur Bunjaku, anëtar
11.Agron Mustafa, anëtar
12.Bekim Rexhepi
-Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm

Komiteti Ekzekutiv aktual i FFK-së 
1.Agim Ademi, kryetar
2.Bakir Burri, nënkryetar
3.Agim Dibrani, nënkryetar
4.Predrag Jovic, nënkryetar
5.Vjollca Krasniqi, anëtar
6.Xhelal Broja, anëtar
7.Ilaz Mjaku, anëtar
8.Mirsad Çollaku, anëtar
9.Naser Ajeti, anëtar
10.Agim Nura, anëtar
11.Ismajl Ajeti, anëtar
– Markus Weidner, u.d. sekretar i përgjithshëm

Kampionët e Kosovës nga viti 1991:

1991-92 Prishtina

1992-93 Trepça

1993-94 Dukagjini (Klinë)

1994-95 Liria

1995-96 Prishtina

1996-97 Prishtina

1997-98 Kampionati, për shkak të luftës, ndërpritet pas përfundimit të stinorit vjeshtor

1998-99 Për shkak të luftës, kampionati nuk u zhvillua fare.

1999-2000 Prishtina

2000-01 Prishtina

2001-02 Besiana

2002-03 Drita (Gjilan)

2003-04 Prishtina

2004-05 Besa (Pejë)

2005-06 Besa

2006-07 Besa

2007-08 Prishtina

2008-09 Prishtina

2009-10 Trepça

2010-11 Hysi

2011-12 Prishtina

2012-13 Prishtina

2013-14 Llamkos Kosova

2014-15 Feronikeli

2015-16 Feronikeli

2016-17 Trepça’89

2017-18 Drita

2018-19 Feronikeli

2019-20 Drita

2020-21 Prishtina

2021-22 Ballkani

2022-23 Ballkani

 

Fituesit e Kupës së Kosovës që nga mëvetësimi

1991/92: Trepça (pa lojë)

1992/93: Flamurtari (në finale e mundi Trepçën 1:0)

1993/94: Prishtina (në finale e mundi Vëllaznimin 2:1)

1994/95: Prishtina (në finale e mundi Dukagjinin 1:0)

1995/96: Flamurtari (në finale e mundi Dukagjinin 2:1)

1996/97: 2 Korriku (pa lojë, Gjilani nuk u paraqit)

1999/00: Gjilani (në finale e mundi Besianën 1:0)

2000/01: Drita (në finale e mundi Gjilanin 1:1 – 6:5 pen)

2001/02: Besiana (në finale e mundi Gjilanin 2:1)

2002/03: KEK-u (në finale e mundi Prishtinën 3:1)

2003/04: Kosova Pr.(në finale e mundi Besën 1:0)

2004/05: Besa (në finale e mundi KEK-un 3:2)

2005/06: Prishtina (në finale e mundi Drenicën 1:1 – 5:4 pen)

2006/07: Liria (në finale e mundi Flamurtarin 0:0 – 3:0 pen)

2007/08: Vëllaznimi (në finale e mundi Trepçën’89 2:0

2008/09: Hysi (në finale e mundi Prishtinën 2:1)

2009/10: Liria (në finale e mundi Vëllaznimin 2:1)

2010/11: Besa (në finale e mundi Prishtinën 2:1)

2011/12: Trepça ’89 (në finale e mundi Ferizajn 3:0)

2012/13: Prishtina (në finale e mundi Ferizajn 1:1 – 4:3 pen)

2013/14: Feronikeli (në finale e mundi Hajvalinë 2:1)

2014/15: Feronikeli (në finale e mundi Trepçën’89 1:1 – 5:4 pen)

2015/16: Prishtina (në finale e mundi Dritën 2:1)

2016/17 Besa (në finale e mundi Llapin 1:1 – 4:2 pen)

2017/18 Prishtina (në finale e mundi Vëllaznimin 1:1 – 5:4 pen)

2018/19 Feronikeli (në finale e mundi Trepçën’89   5:1)

2019/20 Prishtina (në finale e mundi Ballkanin 1:0)

2020/21 Llapi (në finale e mundi Dukagjinin 1:1 – pen. 4:3)

2021/22 Llapi (në finale e mundi Dritën 2:1)

2022/23 Prishtina (në finale e mundi Gjilanin 2:0)

Historiku i shkurtër i futbollit në Kosovë 1919-1991

Topi i parë i futbollit në Kosovë mendohet se është sjellë nga një student i Grenoblit(Francë) më 1919, por, sipas disa burimeve (“Rilindja”), ndeshja e parë në Kosovë mund të jetë zhvilluar në vitin 1916 në Prizren ndërmjet ushtarëve austriakë (fjala është për ushtarë austro-hungarezë).

Në fillim të dekadës së tretë të shekullit të kaluar u formuan disa Shoqata kulturore-sportive që ishin aktive herë pas here e më vonë edhe klubet e para futbollistike në  Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj etj. Por, në atë kohë nuk kishte gara të rregullta kampionale.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë, sikurse në pjesë të tjera të ish Jugosllavisë filluan të organizoheshin gara të rregullta. Këtë në fillim e bënin Këshillat futbollistike të republikave e krahinave e më vonë Lidhjet futbollistike të tyre,që edhe e përbënin Lidhjen futbollistike të ish Jugosllavisë.

Tretmani i kampionateve nuk ishte i barabartë e sidomos ai i Kosovës. Kampioni i Kosovës nuk kualifikohej drejtëpërdrejt në Ligën e Dytë të ish Jugosllavisë, sepse për të si rang më i lartë i garave ishte caktuar Liga e Serbisë që kohë pas kohe e ndryshonte formatin e garave.

Në sezonin 1967/68 Lidhja futbollistike e Kosovës, nuk u pajtua me një gjendje të tillë dhe mori vendim që kampioni i Ligës së Kosovës  mos të vazhdojë në Ligën e Serbisë, bile edhe ekipet që ishin në këtë ligë në fund të kampionatit u kthyen në Ligën e Kosovës. Kështu prej këtij sezoni skuadra më e mirë e kampionatit të Kosovës merrte pjesë në kualifikimet për Ligën e dytë të ish Jugosllavisë e cila kishte dy grupe e ndonjëherë edhe katër grupe.

Më 1.11.1970 Këshilli ekzekutiv i Lidhjes futbollistike të Jugosllavisë propozoi që prej sezonit 1970/71 kampioni i Ligës së Kosovës të plasohej drejtpërdrejt në Ligën e Dytë Qendrore (më vonë u quajt edhe federative). Propozimin e miratoi në dhjetor të po këtij viti Konferenca (Kuvendi) vjetore e Lidhjes futbollistike të Jugosllavisë. Këtë e shfrytëzoi KF”Vëllaznimi” i Gjakovës që pas tri dështimesh në kualifikime për Ligën e Dytë, më në fund e realizoi, me plot meritë, dëshirën e kahmotshme, duke u bërë skuadra e parë që kaloi në rang garash drejtpërdrejt, pa ndeshje kualifikuese.

Me avancimin e trajtimit të KSA të Kosovës me Ligjin Kushtetues e më vonë edhe Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974, u përmirësua edhe pozita e Lidhjes futbollistike të Kosovës  e cila u bë pjesë konstituive e Lidhjes futbollistike të Jugosllavisë.

Sukseset më të mëdha deri në vitin 1990 i kanë arritur KF “Prishtina” që pesë vjet (1983-1988) ishte anëtare e Ligës së parë të ish Jugosllavisë, si dhe KF “Trepça” e Mitrovicës, e cila një sezon (1977/78) zhvilloi gara në rangun elitar. Prishtina në Ligën e Dytë të ish Jugosllavisë luajti 23 vjet, kurse Trepça 26 vjet (dy kampionate me emrin Rudari i Stari Tërgut).

Kosova në këtë rang garash, në periudhën 1945-1990, prej sezonit 1960/61 dhe 1961/62 përfaqësohej me një përkatësisht dy skuadra. Më vonë, në çdo sezon luanin më së shpeshti nga tri ekipe kurse në sezonin 1972/73 Kosova përfaqësohej me katër  ekipe (Prishtina,Trepça, Obiliqi dhe Vëllaznimi i Gjakovës) sikurse edhe në sezonin 1982/83 kur në Ligën e Dytë të ish Jugosllavisë luajtën Prishtina, Trepça, Vëllaznimi dhe Liria e Prizrenit.

Në Ligën e Dytë ekipet kosovare luanin zakonisht në grupin lindor me skuadrat e Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi e të Vojvodinës.

Përveç Ligës së parë në Kosovë zhvilloheshin gara edhe në Ligën e Dytë dhe të tjera në rang ndërkomunal dhe komunal.

Kampionët e Ligës së Kosovës nga viti 1945

1945 Jedinstvo (Prishtinë)

1946 Jedinstvo

1947 Trepça (Mitrovicë)

1947-48 Proleteri (Prishtinë)

1948-49 Trepça

1950 Trepça

1951 Kosova (Prishtinë)

1952 Trepça

1953-54 Kosova

1954-55 Trepça

1955-56 Rudari (Stari Tërg)

1956-57 Rudniku (Hajvali)

1957-58 Rudari

1958-59 Prishtina

1959-60 Rudari

1960-61 Prishtina

1961-62 Buduqnosti (Pejë)

1962-63 Cërvena Zvezda (Gjilan)

1963-64 Slloga (Lipjan)

1964-65 Slloga

1965-66 Buduqnosti

1966-67 Obiliqi (Obiliq)

1967-68 Vëllaznimi (Gjakovë)

1968-69 Vëllaznimi

1969-70 Vëllaznimi

1970-71 Vëllaznimi

1971-72 Obiliqi

1972-73 Fushë-Kosova

1973-74 Vëllaznimi

1974-75 Liria (Prizren)

1975-76 KXEK Kosova (Obiliq)

1976-77 Prishtina

1977-78 Buduqnosti

1978-79 Prishtina

1979-80 Vëllaznimi

1980-81 Liria

1981-82 Vëllaznimi

1982-83 KNI ”Ramiz Sadiku” (Prishtinë)

1983-84 Liria

1984-85 Cërvena Zvezda

1985-86 Vëllaznimi

1986-87 Liria

1987-88 Trepça”

1988-89 Buduqnosti

1989-90 Vëllaznimi

1990-91 Fushë-Kosova

—————————————————————————————————-
Autorë: Azem Brovina dhe FFK.