24 shtator, 2024 – Java e futbollit bazik “Grassroots” e organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës vazhdoi aktivitetet e saj, sot, në regjionin e Gjilanit, me një ndalesë të veçantë në fshatin Llashticë. Ky festival i futbollit, që synon përfshirjen e të rinjve në sport dhe aktivitete rekreative, mblodhi nxënës nga katër shkolla të kësaj treve. Nën udhëheqjen e mësimdhënësve të tyre dhe trajnerëve të futbollit, fëmijët zhvilluan lojëra dhe aktivitete sportive që promovojnë shëndetin, bashkëpunimin dhe argëtimin përmes futbollit. Ky festival është pjesë e angazhimit të FFK-së për të zgjeruar ndikimin e futbollit në të gjitha komunitetet e Kosovës, me fokus të veçantë në grupmoshat e reja dhe në shkollat e zonave rurale.
FFK dhuroi për këto shkolla topa të futbollit dhe pajisje tjera sportive, duke inkurajuar fëmijët e kësaj treve për përfshirje në futboll. Me këtë rast, pjesëmarrësit u shprehën mirënjohës ndaj FFK-së që aktivitetet e saj po i shtrin edhe në vendet e tilla rurale, duke bërë që fëmijët të kenë mundësi t’i tregojnë aftësitë e tyre në futboll dhe të jenë afër ngjarjeve të tilla.
Java Grassroots do të vazhdojë me aktivitetet e radhës në Klinë dhe Gjakovë.