4 maj, 2025 – Java e 19-të në Superligën e futbollit për femra ka sjellë përballje të forta dhe rezultate interesante, me Dukagjinin dhe Mitrovicën që kanë arritur fitore të rëndësishme, ndërsa ndeshja mes Llapit dhe Kosova VR përfundoi pa fitues.

Në ndeshjen e zhvilluar në Malishevë, skuadra mysafire nga Klina, Dukagjini, ka arritur të dalë me tre pikë të plota, duke mposhtur vendaset me rezultat 1:3. Malisheva e nisi mirë takimin me golin e shpejtë të Fortesa Berishës në minutën e 6-të, por më pas vajzat e Dukagjinit morën kontrollin e lojës. Gjenifer Pjetri ishte në formë të shkëlqyer, duke realizuar dy herë në minutat 17 dhe 39, ndërsa Aurona Racaj vulosi fitoren me një gol të hershëm në pjesën e dytë përkatësisht në minutën e 47-të. Me këtë fitore Dukagjini vazhdon t’i prijë tabelës me gjithsej 52 pikë.

Mitrovica vazhdon serinë pozitive, duke mposhtur Ulpianën me rezultat 3:1 në një ndeshje të dominuar kryesisht nga vendaset. Erjona Emerllahu zhbllokoi rezultatin në minutën e 22-të, por Ulpiana barazoi shpejt me një gol të Meritë Bajramit në minutën e 29-të. Në pjesën e dytë, Mitrovica riktheu avantazhin falë golit të Aurora Mulliqit në minutën e 79-të, ndërsa Albulena Fejza vulosi fitoren në minutën e 85-të. Kjo fitore i mban mitrovicaset në garë për titullin e kampionit.

Takimi i zhvilluar në Podujevë mes Llapit dhe Kosova VR përfundoi me rezultat të barabartë 1:1. Skuadra vendase kaloi në epërsi në fund të pjesës së parë me golin e Ermira Miftarit në minutën e 44-t, por mysafiret reaguan shpejt në pjesën e dytë me golin e Almire Mehmetit në minutën e 48-të. Deri në fund të ndeshjes, të dyja skuadrat tentuan fitoren, por mungoi konkretizimi për të siguruar tre pikët.