7 prill, 2025 – Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e vajzave ka shkëlqyer në fazën e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2025, duke e përmbyllur këtë cikël me tri fitore plotësisht të merituara dhe duke e siguruar kalimin në Ligën A për ciklin e ardhshëm kualifikues.
Pas fitoreve në ndeshjet e para ndaj Maltës (6:0) dhe Kazakistanit (2:1), vajzat dardane, të udhëhequra nga përzgjedhësja Albina Rrahmani, treguan edhe njëherë cilësitë dhe karakterin e tyre, duke triumfuar në ndeshjen e tretë ndaj Letonisë me rezultat bindës 4:0.
Golat për Kosovën në këtë sfidë i shënuan Alba Shabani (38’), Ramize Orana (46’), Elona Paci (59’) dhe Olsa Maqestena (90’+4), duke vulosur një paraqitje të jashtëzakonshme në këtë fazë të garave.
Me këtë sukses, Kombëtarja U19 jo vetëm që e përmbushi objektivin e vendosur, por edhe tregoi rritje të vazhdueshme. Përvoja e fituar në këto ndeshje do të jetë shumë e vlefshme për vajzat tona në sfidat që i presin në Ligën A, ku niveli i garës do të jetë shumë më i lartë dhe më kërkues.

Deklarata e përzgjedhëses, Albina Rrahmani:

Shumë të lumtur për promovimin në Ligën A dhe jashtëzakonisht krenarë si staf për performancën e vajzave! Puna që kanë bërë për të ardhur deri këtu, përkushtimi gjatë kampit dhe në ndeshje ka qenë shembullor – secila ka dhënë maksimumin, duke na çuar drejt suksesit.

Tani presim shortin, i cili zakonisht mbahet në fillim të qershorit, dhe menjëherë fillojmë përgatitjet nga e para me një gjeneratë të re, pasi këto kanë qenë ndeshjet e fundit për vajzat e lindura në vitin 2006.

Kalimi në Ligën A dhe përballja me ekipet që na presin atje është gjithmonë sfiduese, por dua ta theksoj se kjo është një përvojë e jashtëzakonshme për zhvillimin e lojtareve tona dhe i ndihmon ato të jenë të gatshme për hapin e radhës – Kombëtaren A.