Komisioni i Garave i Superligës, Ligës së Parë dhe Superligës U21, në mbledhjen e mbajtur me datë 11.04.2025, ka diskutuar për ndeshjet e para të ½ së Kupës së Kosovës për edicionin 2024/2025. Pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve Komisioni mori këto:
V E N D I M E
1.Regjistrohen ndeshjet e para të ½ së Kupës së Kosovës edicioni 2024/2025 me rezultatet e arritura në fushë.
2.Bazuar në raportet e delegatëve, kontrollorëve, zyrtarëve të FFK-së si dhe të dhënat nga protokollet zyrtare, lidhur me rregullsinë e fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të ndeshjeve, Komisioni i Garave pas administrimit të të gjitha materialeve dhe shkresave të prezantuara, raporteve të personave zyrtarë të FFK-së si dhe mediave vendosi për:
Inicim disiplinor:
Ndaj: Nd/trajnerit të FC “Prishtina“, Behar Maliqi nr ID:000353M86. Motivi: Në min 30 vendimet ka hyrë në fushë dhe ka tentuar ta sulmoj gjyqtarin kryesor dhe ka ofenduar me fjalë më banale gjyqtarin për çka ndëshkohet me karton të kuq direkt. I njëjti pas përfundimit të pjesës së parë duke shkuar në zhveshtore ka vazhduar me ofendime dhe përsëri ka tentuar ta sulmojë gjyqtarin kryesor. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Drita – Prishtina.
Ndaj: Drejtorit sportiv të FC “Prishtina“, Driton Krasniqi nr ID 032929M84. Motivi: Pas përfundimit të pjesës së parë rrugës për në zhveshtore e ka ofenduar dhe kërcënuar gjyqtarin kryesor. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Drita – Prishtina.
Ndaj: Zyrtarit të FC “Prishtina“, Faton Zejnullahu. Motivi: Duke hyrë në zhveshtore kur gjyqtari e kishte topin në duar e godet topin në shenjë mllefi ndaj gjyqtarit kryesor. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Drita – Prishtina.
Këshilla juridike:
Pala e pakënaqur në këto vendime ka të drejtë në ushtrimin e ankesës drejtuar Komisionit Disiplinor të shkallës së dytë – Komisionit për Ankesa në afatin e paraparë në Kodin e Disiplinës dhe Etikës nga data e sjelljes së këtij vendimi; datë 11.04.2025, respektivisht publikimit në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ankesa e ushtruar nga ana e palës së ankimuar nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit.
Komisioni i Garave i FFK-së
Abdyl Bellopoja, kryetar
Prishtinë, 11.04.2025